Disa muaj më parë Sorra nisi me lyp llaptopa. Kampanja “Kompjutera për Krejt” ka qëllim të thjeshtë: me mbledhë llaptopa që s’po përdoren ma, me i riparu, përgatitë, dhe me i çu te nxënësit që kanë nevojë për ta.
Dje ishim në IAAP “Skënder Luarasi” në Suharekë, ku 12 nxënës të shkëlqyer nga fshatrat e kësaj komune pranuan llaptopët e tyre, e bashkë me ta kaluam një ditë, ku prezantuam FLOSSK-un dhe folëm për open source.
Duke përdor pikërisht llaptopët me sistem operativ të hapun si Linux Mint, Samiu mbajti një workshop praktik ku prezantoi sistemet operative te Linuxit, konceptin e open source-it, përdorimin e AI nëpërmjet OpenCode GitHub e Vercel, si dhe tregoi shembuj konkretë se si njerëzit bashkëpunojnë për të ndërtu projekte të hapura.
Këto pajisje që dikur rrinin pa u përdorë, tash do t’u shërbejnë nxënësve për me mësu, me kriju dhe me zhvillu aftësitë e tyre ne teknologjitë e hapura.
Një falënderim i veçantë shkon 91Life Careers, Valtech, dhe të gjithë individët të cilët iu bashkuan kampanjës duke i dhuruar llaptopat e tyre, si dhe drejtorin e shkollës Hamdi Bytyqi, me kolegët nga IAAP “Skënder Luarasi”, për bashkëpunimin.
Në vitin 2026, pajisjet digjitale nuk janë më luks, ato janë nevojë elementare dhe e drejtë për arsimim të barabartë, misioni ynë është që krejt fëmijët në Kosovë të kenë qasje në vegla digjitale për të ndërtuar të ardhmen e tij.
Kjo është vetëm faza e parë, e Sorra ende po lyp llaptopa.
Nëse ke një pajisje që s’e përdor ma, jepja dikujt mundësinë me fillu diçka të re.





















