GIS Day këtë vit kishte një arsye më shumë për të festu!
Me përmbylljen e gjeneratës së parë të Green Taskforce, festuam jo vetëm për Prishtina GreenAtlas, por edhe gjithë punën, përvojat dhe miqësitë që u krijuan gjatë këtij rrugëtimi.
Gjithçka nisi më 31 tetor, kur u mblodhëm në Prishtina Hackerspace për t’u njohur më nga afër me Prishtina GreenAtlas, projektin dhe planin e punës.
Më 1 nëntor, kaluam në pjesën praktike, ku vullnetarët u njohën me GIS, QGIS dhe Mergin Maps, duke u përgatitur për punën në terren.
Më 7 nëntor nisëm hartëzimin në qytet, duke identifikuar hapësirat e gjelbra dhe duke filluar inventarizimin e pemëve një nga një.
Më 14 nëntor vazhduam me Mapathon-e, mbledhjen dhe verifikimin e të dhënave. Përgjatë këtij muaji organizuam gjithsej katër Mapathon-e, ku vullnetarët dolën në terren, vëzhguan, matën dhe hartëzuan gjelbërimin e Prishtinës, madje edhe kur na përcollën shiu dhe i ftohti.
Për ta shënuar këtë rrugëtim, u mblodhëm edhe një herë me Green Taskforce, së bashku me Besianë Musmurati – Nënkryetaren e Komunës së Prishtinës, Drejtorin e Hapësirave Publike dhe Parqeve të Komunës së Prishtinës dhe UNDP-në.
Gresa, Albani dhe Samiu prezantuan Prishtina GreenAtlas, duke ndarë punën, rezultatet dhe rrugëtimin e këtij projekti.
Një falënderim i veçantë për ta për përkushtimin dhe punën gjatë gjithë këtij muaji!
Certifikuam Green Taskforce-in dhe shpërblyem vullnetarët që hartëzuan më së shumti pemë.
Ishte kënaqësi të shohim kaq shumë të rinj që i kushtuan kohën e tyre qytetit, dolën në terren, mësuan, bashkëpunuan dhe kontribuan në hartëzimin e gjelbërimit të Prishtinës.
Faleminderit Green Taskforce që i dhatë jetë Prishtina GreenAtlas, me kohën, energjinë dhe dashurinë tuaj për gjelbërimin e qytetit
Kjo nisme eshte pjesë e #CityExperimentFund, mbeshtetur nga Ministria e Financave e Slovakisë dhe zbatuar nga UNDP në partneritet me Komunën e Prishtines.





































